Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk kishte asnjë siguri që në veriun e Kosovës të rikthehej qetësia, pasi prej disa ditësh tashmë serbët kanë ngritur barrikada duke bllokuar rrugët.
Vuçiç u takua me kreun e kishës ortodokse serbe, Patriarkun Porfirje, të cilit iu ndalua hyrja në Kosovë këtë të martë. “Duke pasur parasysh sesi po shkojnë gjërat, me situatën gjeopolitike në sfond dhe duke parë se se si ata (qeveria e Kosovës) duan të na shkatërrojnë pikërisht për shkak të gjithçkaje po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës, mos kini dyshime që kjo situatë nuk do të vazhdojë. Edhe nëse në një farë mënyrë arrijmë ta kalojmë këtë situatë, dhe nuk jam i sigurt që kjo do të ndodhë – jo sepse nuk duam ne, por sepse është e pamundur që të flasësh me dikë që nuk do të flasë, që nuk do të dëgjojë asnjë argument”, tha Vuçiç.
Presidenti serb tha se u kishte bërë thirrje “atyre që kanë ndikim te Prishtina”, për të ndryshuar mendim dhe për të lejuar Patriarkun që të futej në Kosovë. Sa i përket dialogur në përgjithësi, ai shtoi: “Vijojnë bisedimet me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajcak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe gjithë të tjerët. Në përpjekje për të ruajtur paqen, promovuar paqen dhe arritjen e një kompromisi. E siç tha shenjtëria e tij Patriarku Porfirije, kemi mobilizuar të gjithë njerëzit dhe burimet tona”.
Të martën, Ministria serbe e Mbrojtjes tha se Presidenti Vuçiç kishte urdhëruar mobilizimin e ushtrisë dhe policisë, pasi besonte se qeveria e Kosovës do të sulmonte veriun për të hequr barrikadat. Policia e Kosovës tha se i ka kapacitetet për të hequr barrikadat, por po pret miratimin e KFOR-it për të vepruar.
Sipas statistikave të fundit, rreth 50 mijë serbë jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, të cilët nuk pranojnë të njohin sovranitetin e Prishtinës dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia.