Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e bërë nga një grup deputetësh për heqjen e Bordit të Çmimeve të ushqimeve dhe se më 31 Janar pritet një vendim.

Përmes një postimi në “Facebook”, Sula thotë se Bordi i Transparencës në përbërjen e vetë ka vetëm përfaqësues nga biznesmenët dhe nga qeveritarët, duke shtuar më tej se për bordin e çmimit të naftës nuk ka asnjë shenjë reagimi.

Postimi i plotë i Sulës:

Më 31 Janar, Gjykata Kushtetuese vendos nëse është në anën e qytetarëve apo të grosistëve!

Jam i lumtur që reagimin tim të parë publik ta bëj për të informuar qytetarët që Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e bërë nga ne, një grup deputetësh për heqjen e Bordit të Çmimeve të ushqimeve dhe më 31 Janar pritet një vendim.

Bordi i Transparencës në përbërjen e vetë ka vetëm përfaqësues nga biznesmenët dhe nga qeveritarët. Nuk ka asnjë përfaqësues nga qytetarët e thjeshtë. Ajo strukturë është e kundraligjshme dhe nuk mbron interesin e qytetarëve.

Apeloj dhe uroj që Kushtetuesja, çdo anëtar i saj të qëndrojë në lartësinë e betimit që ka bërë para se të shkonte në atë detyrë. Të mbrojnë kushtetutën dhe interesin e qytetarëve.

Ndërkohë dua të ndaj një shqetësim që kam ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Më datë 6 Shtator bashkë me kolegen Dhurata Çupi depozituam ne gjykatë padinë ndaj Bordit për çmimin e naftës. Ndërsa rreth 2 javë më pas me kolegun Bledion Nallbati depozituam padinë për Bordin e çmimeve të ushqimeve. Pra fillimisht ankimuam vendimin e qeverisë për çmimin e naftës dhe më pas për ushqimet.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim dhe do vendos nëse do vijoj apo jo punën Bordi i Çmimeve të ushqimeve. Ndërkohë për bordin e çmimit të naftes që u godit më herët nuk ka asnjë shenjë reagimi. Uroj që pas kesaj të mos qëndrojë ndonjë influencë e errët nga ata që njihen si oligarkët e “arit të zi”.