Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë me GDF në lidhje me sasinë e naftës të sekuetruar dje në Portin e Durrësit.
Nafta kontrabandë vinte nga Libia dhe kishte si destinacion pikërisht vendin tonë.
Në një konferencë për mediat Sajmir Boshnjaku, drejtor i departamentit te kufirit dhe migracionit tha se dy anije kryenin kontrabandë nafte, ku një anije libiane furnizoi me karburant mjetin e lundrimit shqiptar, ndërsa janë arrestuar personat që ndodheshin në ekuipazhin e dy anijeve, asaj shqiptare me mbishkrimin Geni dhe anijes libiane.
Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët, nga toka, ajri dhe deti, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Geni”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me GDF-në dhe rojën bregdetare.
Goditet një tjetër rast i tentativës për futjen kontrabandë të naftës në vendin tonë, nëpërmjet mjeteve lundruese.
Sekuestrohen rreth 62.000 litra naftë të kontrabanduara, të ardhura nga Libia, si dhe 2 mjete lundruese peshkarexha.
Vihen në pranga 13 shtetas, 10 prej tyre shtetas të huaj.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimr Boshnjaku, së bashku me Drejtorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Gentian Ndoi, Kapiten Pascale Paolo dhe Lougotenente Prosdocimo Marco të Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, si dhe përfaqësuesin e zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri Ferdinando Rucco, në konferencë për shtyp për finalizimin e një tjetër operacioni të përbashkët me qëllim goditjen e një rasti të tentativës për futjen kontrabandë në vendin tonë, të një sasie të madhe karburanti.
Përshëndetje,
Jemi këtu së bashku me përfaqësuesit e GDF-së dhe të Zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri, për të bërë prezente rezultatet e një tjetër operacioni të përbashkët për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
Në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit, Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.
Bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, lindi nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë.
Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.
Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht:
- Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat
paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:
- A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.
Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre.
Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Duhet theksuar fakti se gjatë këtij operacioni pati një koordinim dhe veprim të shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit, GDF-së, Zyrës Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojës bregdetare.
Ky operacion dhe operacionet e tjera të përbashkëta të zhvilluara më parë me partnerët italianë, tregojnë qartë besueshmërinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin mes strukturave policore të të dyja vendeve.
Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.