Është zbardhur ekspertiza e një prej dronëve të sekuestruar pas arrestimit të dy shtetasve rus dhe një ukrainas në uzinën e Gramshit.
Burime për mediat bëjnë me dije se nga kqyrja e dronit është zbuluar se në të kishte pamje të disa institucioneve dhe reparteve.
Konkretisht, të repartit RENEA, liqeni i Bovillës dhe repartit ushtarak pranë tij, rafineria e Patosit, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme ushtarake. Nga ana tjetër, hetuesit janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës për një tjetër dron të sekuestruar, por edhe aparateve celularë dhe pajisjeve të tjera që iu kapën tre të arrestuarve, të dyshuar si spiunë.
Svetlana Timofoeva, 33-vjeç dhe Mikhail Zorin, 24-vjeç, dhe Fjodor Mihajlov shtetas ukrainas akuzohen për spiunazh pasi u arrestuan gjatë tentativës për të hyrë në zonën e ndaluar të uzinës ushtarake të Gramshit.
Gjatë tentativës për të hyrë në uzinën e Gramshit ata sulmuan me sprajt neuroparalizues dy ushtarët shqiptarë që ruanin godinën.
Rusët dhe ukrainasi pretendojnë se janë “blogger”, turistë të interesuar në eksplorimin e godinave të vjetra kryesisht të ish-Bashkimit Sovjetik.