Aldo Bare, i cilësuar ndryshe si ish-kreu i Bandës së Lushnjës, kërkon ulje të dënimit në Gjykatën e Elbasanit. Në procesin e zhvilluar mesditën e sotme avokati mbrojtës i tij kërkoi shtyrje të gjyqit, ndërsa hodhi akuza në drejtim të trupit gjykues.

“Trupa gjyqësore që nuk kishte kualifikimin e duhur, në një hark kohor të shkurtër morën një vendim që lë në fuqi dënimin kapital. Do ndërrmarrim hapat tona të nevojshme, për ta cuar në kushtetuese, kemi informuar edhe ILD, kemi kërkuar hetim disiplinor për këtë shkelje të gjyqtarëve. Sot kemi kerkuar shtyrje te procesit.

Do kërkojmë rrëzimin e vendimit të gjykatës së Lartë, na janë mohuar të drejtat tona kushtetuese. Do e cojmë cështjen deri në Strasburg. “ u shpreh ai në një prononcim për mediat.

Aldo Bare është dënuar me “burg përjetë” për 4 vrasje mes tyre dhe Artur Dajës me të cilin banda e tij u konfliktua gjatë viteve ‘97 pasi këta të fundit i vranë vëllain. Të tjerë krime sipas vendimit të 2011 janë 4 vrasje të mbetura në tentativë, krijim i organizatës kriminale dhe armëmbajtje pa leje.

Aldo Bare u ekstradua në Shqipëri më 25 nëntor 2009 nga Ankaraja e Turqisë ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krimet e Rënda akuzonte Baren për të paktën 15 vrasje, krijim të organizatës kriminale, shkatërrim prone me zjarr si dhe trafik droge.