Dështon për herë të dytë përballja e Luftar Reçit, të penduarit të drejtësisë me Emiljano Shullazin dhe grupin me të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shkak është bërë mungesa e gjyqtares së çështjes Etleva Dedës, e cila prej ditësh ka munguar në seancat gjyqësore ku është pjesë gjykuese. Deda ndodhet e shtruar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 27 janar në orën 08:30. Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri, Indrit Rusi dhe Indrit Taullau, do të përballeshin me Luftar Reçin, edhe ky i arrestuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005. Reçi është bërë shkak për arrestimin e anëtarëve të grupit, me dëshmitë e tij, duke treguar emrat e porositësve, organizatorëve dhe ekzekutuesve të Lames e Saliut.
Ndërkohë Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj ndodhen në arrati në lidhje me këto dy vrasje. Ky i fundit u shpall në kërkim vetëm pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Komploti” edhe si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe “Rrumit të Shijakut” në 2019, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.
Pavarësisht se dëshmitë e tij hodhën dritë mbi ngjarjen, të pandehurit e konsiderojnë Luftar Reçin si të pabesueshëm. Kujtojmë se në fillim të këtij viti, Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3.6 vite burg Gentian Goskovën i njohur si “Reqi i Korçës” dhe me 2.4 vite Ervis Kosovën, pasi tentuan të manipulojnë dëshminë e të penduarit të drejtëisë, Luftar Reçi.
Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme.