Altin Hoxha, pjesë e ekipit zjarrfikës, ka dhënë detaje lidhur me problemet që ata përballen gjatë punës së tyre, duke marrë shkas nga ajo që ndodhi në një magazinë në Tiranë ku humbi jetën 32-vjeçari Arjan Sala. Ai shprehet për mungesë të kushteve, ndërkohë që prej 3 muaj paga u është ulur me 60 mijë lekë të vjetra.
“Duhet që të kemi një trajtim më dinjitoz, të jemi më të mirëpaguar, të kemi siguri për jetën tonë, se siç u bë ai djali hero, mund të ishte bërë një zjarrfikës. Kam 15 vite që punoj në shërbimin zjarrfikës, dhe më dhemb zemra kur shoh ça ndodh, unë jam drejtues i mjetit zjarrfikës, dhe një nga problemet më të mëdha është mungesa e korsisë së emergjencës.
Ditën që ra zjarri ka qenë një turn tjetër para meje, kanë shkuar në kohën e duhur atje, nga momenti kur është marrë njoftimi, është dhënë alarmi, duhet të jemi atje prezent për 5 minuta, ndërhyrja ka qenë në kohën më të shpejtë të mundshme, kam qenë atje nga ora 8 e mëngjesit deri të nesërmen, Momentet delikate kanë qenë ndërhyrjet e djemve që nuk shihnin asnjë gjë si pasojë e tymit.
Varet nga përmasat që ka zjarri, nëse përmasat janë të mëdha, kjo e vështirëson ndërhyrjen, ne bëjmë të pamundurën me ato që kemi. Unë nuk jam zjarrfikës i Lionit apo i Nju Jorkut, me këto që ne kemi përpiqemi që të jemi efikasë. Kjo duhet parë dhe duhet investim serioz, pasi ky nuk është as rasti i parë dhe nuk do të jetë as i fundit. Mjetet që kemi lënë për të dëshiruar, por zjarret në nëntokë janë shumë të vështira, pasi mungon fushëpamja.
Të gjithë e dinë që kryeministri në 2014 rriti pagat për administratën publike në masën 7%, në të njëjtën kohë u bë dhe reformimi i zjarrfikësve, ku kaluam në varësi të bashkisë, ne nuk e përfituam asnjëherë rritjen e pagës, institucionet ja hedhin fajin njëri tjetrit. Asnjëherë se kemi marrë rritjen e pagës, hidhet topi sa andej këtej”, tha Hoxha per gazetarin e Fax News, Fatjon Gjinaj.
Zjarrfikësi tha se në stacionet e zjarrfikësve mungojnë mjetet e domosdoshme, duke nisur që nga uji, ushqimi apo një lavatriçe për të larë rrobat.
“Kjo rritje page që nuk na u dha, është minus gjatë gjithë jetës, edhe kur të na llogariten vitet e pensionit, unë nuk jam jurist që të hyj në detaje. Jo të gjitha stacionet e zjarrfikëses i plotësojnë kushtet optimale, përveç asaj që ndodhet në zonën e 21 Dhjetorit, nuk ka shërbim komod 24 orësh, duhet të vihet dorë që të investohet, 5 stacione ka të gjitha Tirana.
Aty mungojnë shumë shumë gjëra, jetiket, pasi jemi në shërbim 24 orë, dua një tualet ku të lahem, pastrohem, duhen kushte, nuk ka vend ku të lajmë rrobat, nuk duhet të kemi një palë rroba pune unë, duhet të ketë lavanderinë e vetë edhe zjarrfikësja, nuk di që ndonjë zjarrfikës në botë të marrë të lajë në shtëpi rrobat e punës. I lajmë gjërat me duart tona, që të vijmë në shërbimin tjetër prapë të rregullt, nuk kemi kushte të mirëfillta. Unë rri në punë 24 orë, nuk mund ti marr unë ushqimet te puna.
Ne kemi 3 muaj që na është zbritur rroga, marrim 60 mijë lekë më pak, unë bëj shërbim 24 orë, punoj të shtunë të dielë, si qenka e diela ditë normale pune, ata rrinë në shtëpi, ne punojmë. Unë bëj 48 orë pune, nga 40 që e parashikon Kodi i Punës, dhe këto që janë më sipër, na thonë që do i marrim njëherë në tre muaj. Unë dua që trajtimi financiar të jetë dinjitoz, duhet sigurimi i jetës, unë të mos e kem mendjen te familja që do ta lë rrugës. Duhet që jeta ime të jetë e siguruar.
Unë tre muajt e verës nuk më lejohet që të marr leje të zakonshme, dhe jam në gjendje të gadishmërisë, pse duhet të privohem unë dhe familja, për të mos bërë sikur 10 ditë plazh. I marrim gjithnjë pushimet ose në dimër ose në vjeshtë”, tha më tej Hoxha.