Kuvendi ka votuar me 78 vota kundër dhe vetëm 3 pro kërkesës së opozitës për shkarkimin e kryetares Lindita Nikolla.

Maxhoranca ka votuar kundër kësaj kërkese, pasi Nikolla sipas tyre ka respektuar rregulloren e Kuvendit dhe i është përmbajtur etikës. Shumica e deputetëve të opozitës braktisën sallën, duke mos marrë pjesë në votim.

Theksojmë se pak ditë më parë një grup prej 28 deputetësh të Partisë Demokartike depozituan kërkesën për shkarkimin e Nikollës, pasi sipas tyre kjo e fundit shkeli Kushtetutën, duke iu hequr të drejtën e fjalës.

Kërkesa për shkarkimin e kryetares së Kuvendit u bë pas seancës së pazakontë parlamentare të 26 janarit 2023. Gjatë seancës kreu i PD Sali Berisha së bashku me një grup deputetësh bllokuan foltoren e Kuvendit duke mos lejuar që të tjerët të mund të mbanin disktutime.