Tërmetet shkatërrimtare që lanë pas mbi 41 mijë viktima në Turqi e Siri, i kanë shkaktuar jo pak probleme edhe atyre që arritën t’i mbijetojnë atyre. Pjesa më e vështirë është ajo që vjen pas kësaj katastrofe.

Kjo pasi banorët, të cilët janë strehuar nëpër qendra provizore, apo kampe të vendosura nëpër zona të ndryshme të qyteteve më të prekura nga tërmeti, po përballen me një mungesë të theksuar higjiene.

Një nga të mbijetuarit e tërmetit në Malatyali e përmblodhi situatën në rajon me këto fjalë:

“Hymë në shtëpitë ku na thanë që do të strehohemi dhe pamë që kishte probleme me tualet dhe lavamanët. Këtu nuk ka as dushe, do të fillojmë të marrim morra. Ne kemi nevojë për një dush. Njerëzit nuk mund të bëjnë dush këtu. Kemi 10 ditë këtu. Në këtë situatë ku ndodhemi jemi gati të hymë në shtëpitë tona të rrënuara vetëm për të bërë dush. Ne përpiqemi t’i mbajmë tualetet të pastra, por nuk funksionon, nuk ka ujë. Ne kemi nevojë për ujë”.