Kryeministri Edi Rama i ka quajtur deputetët e opozitës “burra të dehur” që nuk kanë edukatë dhe e kanë kthyer Parlamentin në një “mejhane”. Rama tha se nuk i është shmangur në asnjë moment përballjes me ta, por do shkojë në Kuvend kur ta gjykojë të arsyeshme.
Drejtuesi i emisionit “Opinion” i tregoi kryeministrit pamjet e disa viteve më parë kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe protestonte në Kuvend me bilbila, siç bëjnë demokratët sot.
“Kur fola për ça fola, nuk kisha parasysh fryrjen e bilbilave, se në një moment të caktuar mund t’i frysh dhe bilbilave. Por një vijë të gjatë sjellje që është në nivelin më të ulët të edukatës së çdo familje në Shqipëri që nuk ka mundësi të edukohet. Unë do shkoj në Parlament kur ta shoh unë të arsyeshme”, tha Rama.
Nëse gjatë gjithë vitit nuk e shikoni të arsyeshme, nuk do shkoni?
– Unë nuk flas me nëse, por me faktin e thjeshtë që me vjen realisht turp që nuk kam mundur të ndikojë në ndryshimin kësaj situate. Jam bërë dhe unë pjesë disa herë, se është ajo shprehja “kush fle me qenin gdhihet me pleshta”.
Ju përjashtoni 14 deputetë të opozitës në një javë?
– Unë nuk përjashtoj deputetet, se s’jam anëtar i komisionit përkatës. Po unë besoj se nuk ka shqiptar normal që nuk pajtohet me përjashtimin e atyre deputetëve që e kthejnë Parlamentin në mejhane burrash të dehur që lëshojnë nga goja ato të cilat çdo familje shqiptare i vjen turp.
Ushtrojnë dhe forcë. Parlamenti është vendi ku ka të drejtë fjalë gjithsecili dhe askush s’ka të drejtë të pengojë tjetrin të flasë.