Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, uroi Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë dhe në të njëjtën kohë, e garantoi për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet”, thuhet në mesazhin e shefit të Shtëpisë së Bardhë, të bërë publik nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Së bashku “u ngritëm për vlerat tona të përbashkëta, përfshirë mbështetjen e popullit të Ukrainës që po mbrohet nga agresioni i padrejtë dhe i paprovokuar i Rusisë”, nënvizohet në letër. Mesazhi i Bidenit nënvizon se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
“Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar, njohje e ndërsjellë, që do të ndihmonte në arritjen e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, vazhdon presidenti amerikan.
Kosova shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian, por sot e kësaj dite, Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë mëvetësinë e saj. Propozimi europian, të cilin e mbështesin dhe diplomatët amerikanë është mekanizmi i fundit përmes të cilit po tentohet arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai nuk e parashikon njohjen e ndërsjellë, por i detyron palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke e uruar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç me rastin e ditës se shtetësisë serbe shprehu bindjen se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të cilin, tha ai, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, do të sjellë siguri dhe begati për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Top Channel