“E vramë ne, e vramë ne”. Denada bërtet me dëshpërim duke hyrë e duke dalë nga shtëpia, pa gjetur paqe brenda vetes. Të njëjtën gjë përsërit Krameri, vështrimi i të cilit është i zbrazët. Të dy janë burrë e grua, prindër të një djali, i cili fatkeqësisht humbi jetën në një aksident të rëndë në Itali.
Fëmija i vetëm i tyre, Alessio, 18 vjeç, humbi jetën pasi motori me të cilin udhëtonte doli nga rruga. E gjithë ngjarja ndodhi 3 kilometra larg shtëpisë.
“E kam vrarë unë”, shprehet mes lotësh Denada Bariamcanaj. “Më kërkoi: ‘Mama më dërgo ti’, por unë i thashë që isha e lodhur. Çfarë kam bërë, çfarë kam bërë”, shprehet ajo. “E kemi vrarë vetë. Jam unë ai që ia bleva motorin një vit më parë”, shprehet nga ana tjetër babai.
Alessio Bariamcanaj ishte student në një lice. Ai vdiq të dielën në mëngjes pas lëndimeve të rënda që kishte pësuar. Bariamcanaj u aksidentua të premten. I riu udhëtonte më një motor Yamaha 125 dhe u përplas me një shtyllë. Për dy javë Alessio do të merrte patentën.
Të premten pasdite, Alessio mori motorin për të shkuar tek një mik i tij, Gianluca. Edhe ky i fundit ndiqte studimet në të njëjtën shkollë me të. Të dy kishin rënë dakord që të vazhdonin stërvitjen së bashku. Por tragjedia ndodhi rreth orës 19:00. I riu humbi kontrollin e motorit dhe për shkak të shpejtësisë nuk mundi që të manovronte në rrugë. Ai goditi një shtyllë ndriçimi dhe për pasojë u dëmtua rëndë.
Sipas mediave italiane, përplasja ka qenë aq e fortë saqë Alessio ka rënë pa ndjenja në rrugë, ndërsa motori ka ecur prej inercisë derisa është ndaluar në një gardh. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e urgjencës dhe ai u dërgua me shpejtësi në një spital. Trumat më të rënda, Alessio i kishte në kokë dhe në bark. 1 orë pas përplasjes u lajmëruan edhe prindërit e të riut shqiptar.
“U lutëm dhe shpresuam gjithë natën”, thanë ata.
Përveç hidhërimit të thellë për vdekjen e djalit të tyre, dy prindërit kanë një ndjenjë të madhe faji. E ëma që refuzoi ta shoqëronte për shkak se ishte e lodhur dhe babait, i cili fajëson veten sepse i bleu motoçikletën.
“Ju lutem më thoni se është një ëndërr e keqe”, thotë Krameri. Përveç familjes, gjithë komuniteti i Piombino Dese është në zi për humbjen e këtij djaloshi të ri. Familja Bariamcanaj banonte prej 30 vjetësh në këtë zonë. Ata janë me origjinë nga Vlora.