Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi regjistroi koalicionin “Bashkë fitojmë”, por duke hequr nga ky koalicion siglën PD me kryetar Sali Berishën.

Celibashi u shpreh se PD-ja nuk ka shprehur vullnet për t’u bërë pjesë e këtij koalicioni dhe si e tillë, sigla PD e Berishës nuk mund të jetë pjesë e koalicionit “Bashkë fitojmë”.

Në këtë mënyrë ky koalicion do të jetë i përbërë vetëm nga tre parti, PL, PBDNJ dhe PDK.

DEBATI

Altin Kaziaj (përfaqësues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’): Kemi paraqitur kërkesën sipas asaj që është parashikuar në kod. Kërkesa mban të gjitha kërkesat e nevojshme për regjistrimin e koalicionit. Kërkojmë regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë”.

Indrit Sefa (përqafuesi i PD): Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë koalicion. Është përdorur emri, karakteristikat dhe logo e Partisë Demokratike nga persona të paautorizuar dhe të palegjitimuar.  Komisioneri duhet të konstatojë se kjo marrëveshje është bërë në mashtrim të ligjit dhe në mashtrim të zgjedhësve.

Nuk e di kush është personi që i është drejtuar KQZ-së. Komisioneri ka të gjitha detyrimet ligjore për të marrë masa dhe për të vënë në vend këtë shkelje të dispozitave ligjore. Kërkesa duhet rrëzuar për sa kohë që marrëveshja është një dokument i domosdoshëm për regjistrimin në KQZ.

Altin Kaziaj (përfaqësues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’): Kodi Zgjedhor flet për marrëveshje të dy a më shumë partive. Me shumë respekt për ju zoti Komisioner, të vazhdojmë më tej me kërkesën tonë.

Indrit Sefa (përqafuesi i PD): Nëse lexoni vendimin e KAS-it thotë që “vendimi hyn në fuqi menjëherë”. Unë jam përfaqësues i përhershëm i PD-së pranë KQZ-së. PD nuk ka bërë asnjë marrëveshje për lidhjen e koalicionit zgjedhor dhe nuk ka depozituar asnjë marrëveshje të tillë. Subjektet që kanë firmosur në emër të PD-së, nuk janë përfaqësues të Partisë Demokratike.

Celibashi: Ajo që thotë përfaqësuesi i PD-së që nuk kemi bërë asnjë marrëveshje…

Kaziaj: Ju që thoni ‘përfaqësuesi i PD’ ende nuk e keni regjistruar PD-në në zgjedhje.

Celibashi: Indrit Sefa përfaqëson PD-në në KQZ. Prej gati 1 viti është përfaqësuesi i PD-së dhe sa kohë nuk ka një dokument që provon të kundërtën, vazhdon të jetë përfaqësuesi i PD-së në KQZ. Mungon vullneti i PD-së për të qenë pjesë e këtij koalicioni. E njëjta situatë ka qenë edhe në shkurt 2022. Në konkluzion dhe në analizë të të gjithë çfarë përmenda do regjistrojmë koalicionin “Bashkë Fitojmë” me 3 parti, PL, PBDNJ dhe PDK.

(BalkanWeb)