Si rezultat i kontrolleve të shpeshta gjatë tre ditëve të fundit raportohen 267 leje drejtimi të pezulluara për tejkalim shpejtësie, drejtim mjeti nën efektin e alkolit dhe 12 për qarkullim në sens të kundërt.
Policia ka vënë në pranga 21 drejtues mjetesh për qarkullim pa leje drejtimi.

Njoftimi i Policisë:

Policia Rrugore

Makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, dragerat, kamerat dhe makinat e pauniformuara, 24/7 në të gjitha akset rrugore.

Si rezultat i monitorimit intensiv gjatë 72 orëve të fundit, janë pezulluar 267 leje drejtimi, nga të cilat 221 për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 34 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 12 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë arrestuar  në flagrancë 21 drejtues mjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjithashtu, duke përdorur mjetet inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masa administrative, pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit, 2264 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi në qendrat e banuara, 489 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 1110 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe 711 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.

67 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe të shenjave sinjalizuese gjatë natës.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos qarkullojnë në sens të kundërt, t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe biçiklistëve, si dhe për drejtuesit e motomjeteve, të vendosin kaskën mbrojtëse dhe shenjat dalluese kur qarkullojnë në kushtet e errësirës.