Anëtarja e gjithë pushtetshme e kabinetit qeveritar, zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku sulmoi përsëri mediat dhe News24 dhe “BalkanWeb” në veçanti se pagat e punonjësve janë të deklaruara në nivele minimale.

Një përpjekje kjo për të justifikuar gjobën e paracaktuar ndaj News24 dhe “Focus Group” nga bashkëpunëtori i saj i afërt, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi dhe sulmin qeveritar ndaj “Prestige Resort”, por edhe një sfidë ndaj Departamentin Amerikan të Shtetit.

Si deputete dhe ministre Belinda Balluku nuk mund të ndiqet penalisht për mashtrimet dhe shpifjet e bëra në sallën e kuvendit, duke u fshehur pas imunitetit, por si zyrtare qeverie duhet të konsultohet me borderotë që News24 dhe “BalkanWeb” dorëzojnë çdo muaj në tatimet e Ceno Klosit, ku pagat e punonjësve janë të deklaruara të plota.

Është e vërtetë se një shofer në News24 nuk paguhet 1900 dollarë sa shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Dritan Agollit dhe as gazetaret nuk paguhen mbi 4 mijë dollarë, aq sa paguhet shefi i Marrëdhënieve me publikun po në këtë institucion. Dhe të mendosh se që këto 4 mijë dollarë paguhen për ca postime propagande bajate në “Facebook”. Pa llogaritur arkivisten e Fondit që paguhet mbi 2 mijë dollarë në muaj. Sigurisht këto para nuk dalin nga xhepat e Ballukut, por nga taksat e shqiptarëve.

E zhytur në detin e zullumeve, Belinda Balluku nuk ka sy as për të parë shkrimet e BIRN që denoncojnë Ceno Klosin dhe konfirmojnë se nga kontrollet e Tatimeve në mediat e “Hysenbelliu Group” nuk u gjet asnjë shkelje.
Raporti i inspektimit nga Drejtoria e Tatimeve për Focus Media, parë nga BIRN, nuk gjeti prova që të sugjeronin se kompania kishte punësuar njerëz në të zezë dhe as nuk gjeti prova për mbajtje bilancesh të dyfishta.https://www.youtube.com/embed/TsYArl60pyU?feature=oembed

Atëherë pse gjithë ky mllef i Belinda Ballukut ndaj News24 dhe mediave të tjera të “Hysenbelliu Group”? Përgjigjet janë tek lajmet profesionale të News24 që kanë denoncuar me prova dhe fakte grabitjen e frikshme me tenderat e rrugëve dhe energjisë ministrisë së infrastrukturës dhe të institucioneve në varësi të Belinda Ballukut, ku kosto e një kilometri ka shkuar nga 3 milionë në 20 milionë euro dhe energjia shitet lirë dhe blihet shtrenjtë.

Duke infiltruar familjarët e saj në majat e sistemit të drejtësisë Belinda Balluku po ndihet e qetë se nuk do të përfundojë pas hekurave, por i kujtojmë ministres se ka dalë më zë dhe figurë duke propaganduar skandalin e termocentraleve lundrues në Vlorë, ku po paguhen mbi 93 mijë dollarë qira ditore pa u prodhuar asnjë kilovat energji. Një faturë kjo që në total shkon mbi 68 milionë dollarë dhe do paguhet nga qytetarët shqiptarë.