President i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Kongresin e 47-të të UEFA-s që u zhvillua këtë të mërkurë në Lisbonë, Portugali.
Duka kandidonte për këtë pozicion mes 11 kundërshtarëve për 7 vende në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ai u rendit në vendin e parë në bazë të votave, duke u zgjedhur me 45 vota në total nga 55 të tilla dhe duke marrë kështu për herë të dytë besimin e delegatëve të shumë federative të mëdha evropiane.
Mandati i anëtarëve të Komitetit Ekzekutvi të UEFA-së është 4-vjeçar. Ky është pa dyshim një sukses i madh jo vetëm për futbollin shqiptar, por për të gjithë Shqipërinë. Për herë të dytë, futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga Duka në qeverinë e futbollit evropian.