Blegtoria vit pas viti po pëson rënie në Shqipëri si në krerë, edhe në prodhim dhe Qarku i Gjirokastrës është ndër më të prekurit. Blegtorët thonë se po ulin numrin e krerëve prej kostove të larta të bazës ushqimore, por edhe mungesës së njerëzve në zonat rurale ku më parë mbaheshin tufat e mëdha të bagëtive.
Blegtoria vit pas viti po pëson rënie në Shqipëri si në krerë, edhe në prodhim dhe Qarku i Gjirokastrës është ndër më të prekurit. Blegtorët thonë se po ulin numrin e krerëve prej kostove të larta të bazës ushqimore, por edhe mungesës së njerëzve në zonat rurale ku më parë mbaheshin tufat e mëdha të bagëtive.
Nga ana tjetër konsumatorët po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e prodhimit vendas dhe me çmime të larta të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Qarku i Gjirokastrës njihet në Shqipëri për mbarështimin e bagëtive të imta dhe cilësinë e lartë të prodhimeve blegtorale. Por vit pas viti numri i krerëve po shënon ulje. Pandeli Kuremeno që mbarështon rreth 150 krerë dele në zonën e Dropullit flet për disa nga vështirësitë.
“Brezi i ri duke u larguar sjell edhe boshllëkun e madh për burime njerëzore në sektorin e blegtorisë. Sot numri i bagëtive në bashkinë Këlcyrë ka rënë, mund të themi në mënyrë të konsiderueshme. Këtë e shikojmë në prodhimin e djathit. Në bisedat që bëjmë me prodhuesit e djathit arsyeja e prodhimit të ulët lidhet me sasinë e pakët të qumështit. Kjo ndodh se numri i bagëtisë ka rënë.”
Si blegtorët edhe specialistët thonë se sektori i blegtorisë ka nevojë për më shumë mbështetje me subvencione.
Propozimi kryesor i tyre për autoritete e ministrisë së Bujqësisë është kalimi nga subvencionimi për krerë, tek subvencionimi për litër qumështi.
Kuremeno thotë se rritja me 20% e subvencionit për krerë i bagëtive të imta është asgjë para rritjes së bazës ushqimore. Që një tufë delesh të nxjerrë pak fitim ,fitimin minimal, duhet që në radhë të parë të subvencionohet litri i qumështit.”
Ndërsa specialisti Krenar Veliu thotë se Agjencia e Zhvillimit Bujqësor subvencionon për krerë bagëtish të matrikullura. Agjencia aktualisht jep 12 mijë lekë të vjetra për një dele të matrikulluar në një tufë që i kalon nga 100 deri në 300 krerët. Kjo është një ndihmë e mirë në fakt, por duhet të jetë edhe një mbështetje më e mirë, thotë zoti Veliu.
Pandemia e koronavirusit dhe efektet e luftës në Ukrainë kanë ndikuar sipas ekspertëve të ekonomisë në rritjen me gati 50% të kostos së bazës ushqimore për blegtorinë duke dhënë ndikim negative sidomos për fermat blegtorale të mesme dhe të mëdha.
Ndërsa situata në ekonomitë e vogla blegtorale, kryesisht familjare, do të vijoj të përkeqësohet sipas specialistëve nga largimi i madh i popullsisë nga zonat ruale dhe sidomos i të rinjve.
Rënia e numrit të krerëve rrjedhimisht po sjell në Shqipëri edhe uljen e prodhimit të mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Shoqëruar nga rritja e kostove ushqimore të mbajtjes së gjësë së gjallë kjo situatë po ndikon në tregun e konsumatorëve.
Kompanitë e përpunimit të qumështit i rritën pak kohë më parë me rreth 30% çmimet e nënprodukteve të qumështit për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit qe dorëzohej nga fermerët.