Vesi i shkarkimit të trajnerëve është një “gangrenë” dhe sëmundje e pashërueshme në futbollin shqiptar. Për një tekë apo një qejfmbetje, me një të rënë të lapsit, presidentët apo drejtuesit e klubeve, i shkarkojnë sa hap e mbyll sytë trajnerët e tyre, madje edhe kur rezultatet sportive të skuadrave që ata drejtojnë janë të shkëlqyera.

Në Elbasan është regjistruar ndoshta një rekord botëror sepse Gentjan Stojku është shkarkuar nga detyra pas 2 viteve në krye të skuadrës, që prej korrikut 2021 kur u themelua Akademia e Futbollit Elbasani dhe që e nisi rrugëtimin nga Kategoria e Tretë.

Gjatë kësaj periudhe, Stojku e ngjiti skuadrën në Kategorinë e Dytë ku aktualisht është në vend të parë dhe pretendente kryesore për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, nuk kanë mjaftuar as 28 fitore e vetëm 4 barazime në dy sezone pa asnjë humbje, që Stojku të vazhdonte punën, aq më tepër tashmë që sezoni mbyllet pas 4 javësh dhe Elbasani kryeson me 1 pikë më shumë se Pogradeci ndjekës duke rrezikuar edhe vendin e dytë që nuk siguron kualifikimin direkt për kategorinë tjetër.