Këtë të martë në orën 10:30 para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, dalin për tu njohur me masat e sigurisë 5 të arrestuarit, për dhunimin e një 28-vjeçareje nga Gleard Gusholli dhe të afërmit e tij.
Për Gleard Gushollin që akuzohet si autor i dhunës dhe pengmarrjes prokuroria e Tiranës do të kërkojë arrest me burg, ndërsa për Bledi Kateshin, Erlin Kateshin, Besmir Nucellarin dhe Arjan Shetan, që akuzohen për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit, do të kërkohet detyrim paraqitje.
Ndryshe nga sa e ka referuar Policia, Organi i akuzës, ka vendosur rikualifikimin e veprës penale, për plagosje, dhunë në familje nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit për vrasje si dhe heqje të paligjshme të lirisë. E reja ka lënë përkohësisht të hënën ambientet e spitalit të traumës ku është rikthyer sërish deri në fazën e rikuperimit të plotë, ku është aktualisht.