SpaceX lançoi ditën e enjte raketën Starship për herë të parë në fluturim, në formën e testit të parë zyrtar. Kjo raketë është rezultat i një pune shumë vjeçare plot me testime nga ana e SpaceX dhe është raketa më e fuqishme që është ndërtuar ndonjëherë. Në bordin e raketës nuk gjendej asnjë person për fat të mirë, pasi disa minuta pas lançimit të suksesshëm raketa shpërtheu në ajër.

Fillimisht plani ishte që Starship të lançohej gjatë ditës së hënë, por gjithçka u anulua pasi një ndër valvulat e presionit në booster-in Super Heavy nuk po funksiononte.

Drejtuesit e SpaceX treguan disa herë para lançimit të raketës gjigande se ato do të konsideronin të suksesshëm këtë test nëse raketa do të arrinte të shkëputej nga vendi i lançimit. Starship arriti të fluturonte për 4 minuta dhe u shkëput në mënyrë të suksesshme nga booster-i Super Heavy, para se gjithçka të përfundonte me një shpërthim.