Policia ka mundur që të gjejë në një banesë në zonën e Gjadërit disa rroba që dyshohet se i përkasin autorit të vrasjes së Ardian Nikulajt, e ndodhur rreth një javë më parë në zonën e Shëngjinit. Mëngjesin e sotëm policia ka gjetur disa veshje që dyshohet se i përkasin autorit të dyshuar, të cilat do të dërgohen në laborator për ekzaminime të mëtejshme.
Ardian Nikulaj u ekzekutua në ambientet e hotelit në pronësi të tij në Shëngjin, në datën 19 Prill, nga një autor i cili u largua nga vendngjarja me një mjet motorik. Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, për shkak të disa konflikteve të vjetrat hasmërisë mes fisit Nikulaj, me disa familje të tjera në zonën e Lezhës.
Kush ishte Ardian Nikulaj: Lindur më 31 tetor të vitit 1972 në Lezhë, babai i katër fëmijëve. Deri në vitin 2003, emri i tij ka qenë Ardian Marku, të cilin e ndërroi në Ardian Nikulaj.
Në vitin 1998 ka emigruar në Novara të Italisë dhe gjatë vitit 2000, prej hasmërisë me fisin Balaj, është vrarë vëllai i tij, Pëllumb Nikulaj.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ për zgjedhjet parlamentare, 50-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje më 24 nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 dhjetor të vitit 2006, me gjobë për falsifikim.
Ka mbajtur disa poste në administratën lokale si drejtor i OSHEE-së dhe ALUIZNIT dhe prej vitit 2019, ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.
Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, si një biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, ku zotëronte disa biznese, përfshirë bar-restorant “Coral”-in ku e ekzekutuan.
Përpos kësaj i përfshirë dhe në sferën politike, ku ka qenë kandidat i Partisë SocialDemokrate në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Kandidati numër 1 në listën për Lezhën, ku arriti të mbledhë 97 vota. Gjithashtu ka qenë në kandidaturë për Këshillin Bashkiak të zgjedhjeve që priten të mbahen më 14 Maj.