Nuk u preferua nga Sylvinho në sfidën e parë për kualifikueset “Euro2024”, por Ernest Muçi vijon të dhurojë spektakël në Poloni. Talenti kuqezi është kthyer në një titullar fiks te Legia, jo vetëm kaq, por shënon, dhuron asiste, praktikisht është shndërruar në një lider të këtij ekipi.

Për fat të mirë, pak nga pak po fiton minuta edhe Jurgen Çelhaga, madje sfidën e fundit zbriti në fushë si titullarë. Muçi realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 48-të, teksa tregoi nuhatjen e tij fantastike në zonë. Pak minuta më vonë ishte i pafat teksa një predhë e tij nga distanca u përplas në shtyllë.

Ky ishte goli i tij i 5-të këtë sezon me Legia-n në kampionat, ndërsa ka dhuruar dhe 6 asiste. Në përfundim të ndeshjes, Muçi u vlerësua me notën 8, ndërsa Çelhaga me notën 7,1.