Një aksident i rëndë ndodhi në fshatin Funarës të Librazhdit pasditen e se henes, sot ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 53-vjeçari Luan Çota, i cili mbeti i plagosur rëndë pas daljes nga rruga të automjetit me të cilin po udhëtonte.
Ngjarja ndodhi në afërsi të qendrës së fshatit Funarës në Njësinë Administrative Orenjë në bashkinë e Librazhdit . Sipas të dhënave zyrtare, automjeti drejtohej nga shtetasi Besnik Laçku, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, kur në rrethana që po hetohen humbi kontrollin mbi mjetin. Automjeti doli nga rruga dhe u përplas disa herë me pemët anës saj, duke shkaktuar dëmtime të rënda tek dy personat që ndodheshin në të.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa pasagjeri Luan Çota, 53 vjeç, ka marrë plagë të shumta dhe është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore urgjente në spitalin bashkiak të Librazhdit , e më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme. Viktima edhe tre muaj më parë ishte përfshirë në një aksident ku kishte pësuar fraktura në këmbë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit, Besnik Laçku, pas verifikimeve të kryera nga policia, rezultoi se ishte në gjendje të rënduar nga alkooli në momentin e aksidentit. Për këtë arsye ai është ndaluar nga uniformat blu dhe ndaj tij janë nisur procedurat ligjore për veprat penale që lidhen me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe pasojat e rënda të aksidentit.

Vdekja e 53-vjeçarit e rëndon më tej bilancin e kësaj ngjarjeje, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë ligjore të drejtuesit të mjetit.






