BRATISLAVË- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës.  Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratislavë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në këtë konferencë, ndërsa tha se është i gatshëm të takohet me presidentin serb, nëse BE dhe SHBA e mundësojnë një gjë të tillë.

“Në këtë çështjen e binarëve, na duhet një tren më i shpejtë, na duhet dialog i intensifikuar, jo takime njëherë në dy muaj.Nëse BE dhe SHBA organizon takim me Vuçiç jam shumë i gatshëm, sepse më pëlqen marrëveshja, duke përfshirë edhe vetëmenaxhimin e bashkësisë serbe, sepse dua t’i mbroj serbët, jam kryeministër edhe i tyre. Dua të angazhohem me komunitetin serb për të drejtat e tyre.Ata duhet të jenë përfituesit  e fundit. Për me diçka, nuk mund ta kompesoj Vuçiç për humbjen që Serbia si shtet ka pësuar për shkak të krimeve të regjimit të Milloshevicit, por jam këtu për të siguruar që serbët t’i gëzojnë të gjithë të drejtat” tha Kurti.

Ai po ashtu u duk i palëkundur në qëndrimet e tij, kur tha se do t’i kuptonte më mirë nëse protestat e serbëve në veri të Kosovës do ishin paqësore.