Dy persona që përmes mashtrimit i kishin marrë një shtetaseje çeke, një shumë prej 28 mijë euro janë arrestuar.

Njëri prej tyre aktualisht është i paraburgosur në burgun e Peqinit për të njëjtën vepër penale, atë të mashtrimit.

Ndërkohë për një 33-vjeçare, A.F, e cila edhe ajo është përfshirë në skemën e mashtrimit, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shteti”.

KOMUNIKATË

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar Urdhrin e ekzekutimit datë 10.06.2023, lëshuar në bazë të vendimit nr.386 datë 10.06.2023 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg” , në ngarkim të shtetasve;

M.B, lindur dhe banues në Cërrik i datëlindjes 18.01.1982, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal.

E.F, lindur dhe banues në Cërrik, i datëlidnjes 31.07.1988, i akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal, aktualisht i paraburgosur në IEVP Peqin për të njejtën vepër penale.

Si dhe për caktimin e masës shtrënguese “ndalim i daljes jashtë shteti”, në ngarkim të shtetases;

A.F, lindur dhe banues në Cërrik, e datëlindjes 05.01.1990 akuzuar për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 paragrafi 3 i Kodit Penal

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit kallëzues të shtetases Çeke V.R të dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal nr.630 viti 2023, pasi shtetasit e mësipërm nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë marrë shumën prej 28.000 eurosh të copëzuar në intervalin kohor prej 4-muajsh. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe të dokumentuara në kohën e momentin e duhur nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është bërë e mundur sekuestrimi i shumës 13.540 euro CASH.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

SHKBB mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët, të paraburgosurit , të dënuarit dhe punonjësit e administratës të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Policisë së Burgjeve, duke telefonuar në numrin 044 20 40 20.