Kontrollorët e aeroportit të Rinasit janë aktualisht në punë, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje arresti.
Gjykata penale e Tiranës la në burg Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin, ndërsa Flora Ndrecën e la në arrest shtëpie për shkak se ka fëmijë të mitur.
Avokati i kontrollorëve, Rezart Kthupi, i ftuar në “Shqipëria live” thotë se tashmë, kontrollorët mund të jenë vërtet të paaftë për të ushtruar profesionin dhe kjo është serioze. “Tani gjendja është më e rënduar, sot stresi është real. Në gjykimin tim, ata duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi psikologjik. U mbajtën një natë të tërë në komisariat, përjetuan një presion të madh.
Të gjithë janë rikthyer në punë, përveç atyre që kanë raporte për paaftësi. Nëse bëhet një testim, do të thosha që një pjesë e konsiderueshme e kontrollorëve kanë shqetësime. Ajo është një punë që kërkon një vëmendje shumë të lartë, nuk lejon shpërqëndrime. Një pjesë e kontrollorëve vijon të jetë nën hetim dhe kjo i shton shqetësimet”.
Sipas tij, vlerësimin psikologjik të kontrollorëve duhet ta bëjë autoriteti i aviacionit civil, por kjo kërkon kohë. “Jo vetëm kërkon kohë, por ka dhe disa afate kohore. Në rastin konkret, autoriteti i aviacionit civil duhet të fuste mjekë për të bërë kontrollin, në dijeninë time kjo gjë nuk është bërë”.
Avokati thotë se do të bëhet ankimimi për tre kontrollorët e arrestuar dhe çështja do të shkojë në gjykatën e apelit. “Shpërdorim detyre në bashkëpunim është akuza për tre personat. Dispozita penale parashikon deri në 7 vite burg, por për ata nuk ka asnjë provë, akuza është e pabazë”.
Akuzave se në radhët e kontrollorëve ka persona të lidhur me politikën ose të afërm të politikanëve, avokati i përgjigjet: “Në radhët e kontrollorëve, nuk ka asnjë person që ka lidhje me politikën. Më i riu aty ka 10 vite punë. Kontrollorët kalojnë në shumë filtra”.
Top Channel