Që nga arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, te arrestimi i Vangjush Dakos dhe sanksionet ndaj Kosovës, Kryeministri Rama i paralajmëroi ngjarjet që do të ndodhnin pak më parë se të bëheshin të ditura për publikun.

“Një sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla,” tha Rama para se të bëheshin dy arrestimet nga SPAK.

Megjithatë, ka qenë dhe arrestimi i ish-kryebashkiakut Dako, i cili erdhi një ditë pas paralajmërimit të Kryeministrit Rama në takimin falenderues në Berat.

“Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kemi hyrë në një fazë të re, ku për herë të parë në histori po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë, sepse nuk ndjehesh mirë, kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje dhe tani është krah prokurorit dhe gjykatësit.

Por edhe kur shikon që mund të përdoret forca e pushtetit për të bërë gjëra që nuk duhet. Kurrë s’ka ndodhur më parë. Për këtë ne duhet të jemi krenarë për PS dhe kontributin që japim”, ka qenë ky paralajmërimi i cili pasoi me arrestimin e Vangjush Dakos.

Sanksionet ndaj Kosovës, kishin disa ditë të cilat përfliteshin në media, se do të ishin një ndëshkim i vendeve euro-atlantike ndaj politikës së Albin Kurtit për marrëdhëniet me Serbinë. Ka qenë Kryeministri Edi Rama i cili e paralajmëroi marrjen e masave në konferencën me mediat, pas anulimit të takimit të dy qeverive në Gjakovë.

“I kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë. Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.

Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.

Ndonëse masat do të jenë të përkohshme, efektet e tyre do të zgjasin.”

Një tjetër paralajmërim është bërë më 2 mars të këtij viti nga Rama në Parlament.

“Këtu tani rrugët ndahen më shumë se qartë unë në punët e mia si kryeministër, ju në punët tuaj si revolucionarë në dëm të Shqipërisë. Ju presim më 14 maj për të na mundur më keq se sa na keni mundur! Kujdes se byrektorja po bën punën, gjiza ka ardhur, të radhës do të shihni…”

Ndërkohë sapo ka mbaruar fjalën është larguar ambientet e Parlamentit. Më herët tha se kjo ishte hera e fundit që përballej më opozitën.

Me ‘byrektore’ kryeministri Rama iu referua Departamentit Amerikan të Shtetit, duke ngritur kështu dyshimet se një tjetër politikan pritet të shpallet ‘non grata’.