Ambulanca ka marr trupin e shtetasit të mbetur të vrarë brenda kampit në Manëz. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë përplasjeve mes policisë dhe grupit të muxhahedinëve pas një kontrolli të forcave policore dhe FNSH pas informacioneve se persona brenda kampit zhvillonin aktivitet të paligjshëm kryesisht që lidhet me sulme kibernetike

Mësohet se trupi i viktimës rreth 60-vjeç do të transportohet në morgun e Tiranës, ku pritet që edhe ekspertiza të hedh më shumë dritë rreth shkaqeve që çuan në vdekjen e tij.

Sakaq policia nuk ka konfirmuar asnjë viktimë por ka qenë anëtaret e  MEK që kanë folur për mediat duke thënë se përveç një të vdekuri, ka edhe disa të plagosur

Çfarë dyshon prokuroria se ndodh në Manzë

Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, por edhe zyrës së Inteligjencës pranë ambasadës amerikane në Tiranë, ka indicie se në radhët e opozitës iraniane që qëndron prej afro 10 vitesh në Shqipëri ka dhe persona të infiltruar të dyshuar për ngjarje të mundshme me natyrë terroriste, por edhe sulmet kibernetike që kanë ndodhur në vitin e fundit në Shqipëri. Pavarësisht kontrolleve, të paktën  deri tani nuk ka persona të arrestuar nga policia si të dyshuar.

Me vendim gjykate, policia duhej të ushtronte kontroll në 80 banesa në Manzë, ku është ndeshur me kundërshti nga ana e banorëve, të cilët pretendojnë se efektivët e policisë kanë kthyer gjithçka përmbys dhe ju kanë marrë të gjitha pajisjet elektronike.

Vetë policia pranon se ka pasur hedhje të gazit lotsjellës por jo përdorim të sendeve të forta dhe aq më pak të armëve, ndërkohë që nga ana tjetër përfaqësuesit e MEK pretendojnë se viktima, një burrë rreth 60 vjeç ka hematoma në ballë, që tregon sipas tyre se është goditur me sende të forta nga policia.