Kolegji Zgjedhor vendosi në mënyrë unanime rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” për mos njohjen e rezultatit të bashkisë së Elbasanit. Ndërkohë padia e kandidatit të Kuçovës Lefter Maliqit do të bashkohet me atë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit për bashkinë Elbasan.
Pretendimet e koalicionit opozitar se konfigurimi i pajisjeve elektronike nuk ishte i bërë 100%, se operatorët kanë votuar për qytetarët si dhe është kryer votim familjar u hodhën poshtë nga trupa gjykuese në votim unanim.
Ndërkohë Kolegji Zgjedhor bashkoi një Ankimimin e kandidatit Lefter Maliqi me atë të Koalicionit Bashkë Fitojmë për rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit në Bashkinë Kucovë
Kandidati Lefter Maliqi, theksoi se beson tek drejtësia ndërsa akuzoi KAS për vendimmarrje të padrejtë.
“Me besim të patundur, provat janë të pakundërshtueshme si ato filmike dhe ato ligjore. Ne besojmë tek trupi gjykues i Kolegjit zgjedhor në vazhdim që do të zbardhë këtë krim shtetëror dhe elektoral në bashkinë Kuçovë,” tha ai.
Deri më tani Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar të gjitha ankimimet e koalicionit “Bashkë Fitojmë” përveç bashkisë Rrogozhinë ku pritet të dekretohet data nga KQZ për rivotim.