Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuan pasditen e sotme në Prishtinë së bashku me deputetë të partive opozitare, kundër qeverisë Kurti dhe ligjit për pagën minimale që u votua në Kuvend, në të cilin nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta.

Veteranët u mblodhën fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe marshuan drejt sheshit  “Skënderbeu”, ku u zhvillua tubimi, ndërkohë që dhjetëra forca të Policisë së Kosovës dhe ekipe të zjarrfikësve ishin stacionuar në oborrin e Kuvendit dhe Qeverisë.

Në sheshin “Skënderbeu” ishte vendosur skena ku u mbajtën fjalime nga veteranë të ndryshëm të luftës çlirimtare, ndërsa në duar pjesëmarrësit në tubim mbajtën flamuj me logon e UÇK-së, flamurin kombëtar dhe atë amerikan.

Tubimi nisi me himnin kombëtar dhe atë shtetëror, ndërsa u dëgjuan brohoritjet “UÇK, UÇK” dhe “Poshtë Qeveria”.

Veteranët e UÇK-së dhe opozita akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje se bashkë me Millan Radojçiçin, e Listës Serbe kanë rënë dakord për të përjashtuar veteranët nga ligji për pagën minimale. Ata protestuan njëherazi edhe kundër skandalit të përgjimeve, duke kërkuar që Mimoza Kusari Lila të dorëzojë mandatin e deputetes.

Mimozë: A t’kallxoj Radoja” se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës”,  “Mimozë: Ti fyej veteranët e Jabllanoviqi “nënat” e tyre” – janë disa nga pankartat që protestuesit mbajnë në duar në protestë.

Ata po ashtu kërkuan nga presidentja Vjosa Osmani që të kthejë mbrapsht ligjin për pagën minimale, duke e konsideruar si anti-UÇK. Ligji për pagën minimale parashikon rritjen e saj nga 170 në 264 euro, por në të nuk janë përfshirë nga qeveria pensionet e veteranëve të cilët vazhdojnë të marrin nga 170 euro.

Thirrje presidentes Vjosa Osmani të mos e dekretojë ligjin që i përbuzë veteranët e UÇK-së përndryshe do të perballeni me veteranët. Nuk do të lejojmë të shkelemi e shtypemi”, tha veterani Avni Ajeti.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkinaj akuzoi qeverinë Kurti se nuk po i mbështet veteranët, duke i kërkuar ekzekutivit “që t’i kthehet popullit”.