Tre persona mbetën viktimë e një sulmi që dyshohet se kishte motive racore në Florida të Shteteve të Bashkuara.
Autori ishte një i ri rreth të 20-tave që mbante një pushkë automatike dhe një pistoletë dhe pasi hyri në një dyqan në Jacksonville hapi zjarr, duke vrarë dy burra dhe një grua me ngjyrë.
Vrasësi, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, la disa shënime me gjuhë urrejtjeje, drejtuar prindërve, mediave dhe agjentëve federale para se të vriste veten, thonë zyrtarët e policisë.
“Një krim të mbushur me urrejtje raciste”, e cilësoi sulmin kryebashkiaku Donna Deegan. “Agresori sulmoi viktimat në baze të racës së tyre dhe kjo është totalisht e papranueshme. Ky djalosh vrau veten në vend që të pranonte përgjegjësinë për veprimin e tij fatal”, u shpreh për mediat guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
Në hetimin e nisur, FBI po e trajton ngjarjen si krim urrejtjeje.
Mbi 28.000 vdekje janë shkaktuar këtë vit nga armët në SHBA, sipas faqes së internetit Gun Violence Archive.
Sulmi në Jacksonville vjen në 60-vjetorin e Marshimit në Uashington dhe fjalimin e famshëm të Martin Luther King Jr “Unë kam një ëndërr”. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytet të shtunën për të shënuar momentin historik në lëvizjen për të drejtat civile.