Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të nisë menjëherë dialogun me gratë greviste në Ballsh.
Meta theksoi se është e domosdoshme shmangia e përshkallëzimit të situatës gjë e cila mund të sjellë pasoja për shëndetin e grevisteve.
“Është tepër e domosdoshme dhe bëj thirrje për vendosjen e menjëhershme të dialogut mes Qeverisë dhe grave greviste e naftëtarëve për një zgjidhje sa më të pranueshme të kërkesave të drejta të tyre, për të shmangur përshkallëzimin e situatës me pasoja për shëndetin e grevistëve. Është shumë e rëndësishme të bëhet çdo përpjekje, pa vonesa të mëtejshme, për një trajtim të përgjegjshëm shtetëror dhe njerëzor të kësaj çështje, me qëllim zgjidhjen e kësaj situate të rëndë sociale dhe humanitare përpara se të përballemi me probleme shëndetësore që mund të rrezikojnë jetën e të ngujuarve”, shkruan Meta.
Sot është dita e 21 e grevës së grave në Ballsh të cilat shprehen të vendosura për vazhdimin e saj nëse ligji nuk zbatohet për kompensimet e pagave të prapambetura.