Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në emisionin “Opinion” se është i gatshëm të shkojë në çdo kohë në gjykatë, por nuk mund të pranojë që të shkelet kushtetuta.

Berisha tha se gjyqtarja ka shkelur kushtetutën duke kufizuar lëvizjen e tij pa marrë më parë autorizimin nga parlamenti.

Ish-kryeministri i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të votojë në parlament heqjen e mbrojtjes që e mundëson mandati i deputetit.

“Më lejo të garantoj qytetarët se jam i gatshëm të paraqitem para çdo institucioni akuze dhe gjykate në çdo kohë që të kërkohem pa asnjë hezitim. E kam shprehur në mënyrën më të përsëritur që pavarësisht se çfarë konsiderate ke për personin që të thërret për të marrë në pyetje, nuk duhet refuzuar kurrë sepse në qoftë se ndodh kjo kalon në fazën parashtetërore dhe unë nuk jam për fazën parashtetërore, jam për shtetin ligjor. Por, çfarë ndodh aty? Një gjykatëse merr përsipër të shkruajë në tryezën e saj Kushtetutën. Akti më i rëndë që mund të bëjë një prokuror ose një gjykatës. Të shkruajë Kushtetutën duke shkelmuar me të dy këmbët Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, liria e lëvizjes. Jam shumë i çliruar duke qenë autor i amendamentit të heqjes së çdo lloj kufizimi për deputetët dhe zyrtarët para drejtësisë, këtë amendament e rrëzoi Edi Rama në 2012 me pretekstin se na arreston Sali Berisha. Tani unë jam këtu dhe i them Edi Ramës bëhu burrë të votojmë amendamentin. Është njëlloj heqje lirie, derisa më merr pasaportën unë nuk shkoj jashtë shtetit. Kërkon dorëzimin e pasaportës, është në vendim. De facto kjo është një formë arrestimi me detyrim paraqitje”,tha Berisha.

Nuk do të paraqiteni?

Unë nuk do të paraqitem, absolutisht jo.,-tha Berisha./Opinion.al