Avionët izraelitë kryen sulme ajrore herët mëngjesin e së dielës pranë një spitali në Gaza, i cili ishte i mbushur me pacientë dhe dhjetëra mijëra palestinezë të cilët ishin strehuar aty nga bombardimet.

Tel Avivi tha se më shumë se 400 objektiva të tjerë të Hamasit përfshirë depo armësh, tunele etj., u goditën në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit.

Sulmet erdhën një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se lufta kishte hyrë tashmë në fazën e dytë të saj.

Ai konfirmoi se komandantët izraelitë janë të dislokuar në të gjithë Rripin e Gazës. Tanke dhe këmbësoria u futën në Gaza, në atë që zyrtarët izraelitë e përshkruan si një ofensivë të zgjeruar tokësore, duke kryer bombardime nga ajri, toka dhe deti.

Telefonia dhe interneti janë rikthyer pjesërisht në Gaza pas një ndërprerjeje që zgjati për më shumë se 24 orë.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bëri thirrje për qetësimin e menjëhershëm të konfliktit, duke shprehur keqardhje për humbjen e jetëve.

Gaza është përfshirë nga kaosi. Agjencia e OKB-së për refugjatët tha se mijëra njerëz hynë me forcë në magazinat e saj të ndihmave ku morën ushqime dhe artikuj të tjerë.

Mjekët thanë se nëse ofensiva vijon, situata mund të bëhet edhe më katastrofike. Të paktën 30 spitale dhe qendra shëndetësore janë mbyllur në Gaza pasi kanë mbetur pa furnizime mjekësore dhe karburant.

Aksioni izraelit nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor që shkaktoi 1400 izraelitë të vrarë. Në krahun tjetër autoritetet e Gazës flasin për të paktën 7650 viktima mes tyre.

Tv Klan