Gjykata e Apelit të Posaçëm, më 15 nëntor do të japë vendimin përfundimtar për Ardian Çapjan dhe 5 të pandehurit e tjerë të akuzuar për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.
Përveç konkluzioneve përfundimtare të avokatëve, Ardian Çapja, ka dorëzuar në gjykatë një material me 30 faqe ku kërkon të shpallet i pafajshëm. Sipas Çapjas procesi ndaj tij për vrasjen babë e bir është montuar nga Prokuroria e Elbasanit.
Çapja ka pretenduar se prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku i mbetën të vrarë dy familjarë të tij dhe u plagosën 8 të tjerë, nuk po e zbardh sepse aty është përfshirë politika.
Në prill të këtij viti Gjykata e Posaçme dha 3 dënime me burgime të përjetshme dhe 65 vite burg në total për 6 të pandehurit.
Me burgim të përjetshëm u dënuan Ardian dhe Florenc Çapja e Olsi Leku. Ndërsa me nga 25 vite heqje lirie u dënuan Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani. Ndërsa bashkëpunëtori I drejtësisë që zbardhi edhe vrasjen e dyfishtë Etien Cani, u dënua me 15 vite burg.