Nga Erion Murataj!

Paralelet e dy programeve që po ndiqja sot kishin të dyja një kah lëvizje. Të dyja shumë larg si paralele e njëkohësisht shumë afër në produkt. Retorika e opozitës në Prishtinë e konsideroi sot antikombëtare marveshjen pa opsion të Brukselit ku Kurti u zbyth nga gjithë preambula e tij e dikurshme për parime e moral atdhetarë.

Ndërkohë në Tiranë vlon prej dy ditësh lufta e karrigeve e grushteve të baballarëve e mamallareve të kombit si aksion paramilitar mesazhesh ndaj drejtësisë që 6 vjet më parë bashkë-votuan unanimisht me çekiç në kokë me shpresën se do ta përdornin si marionetën e tyre njëlloj si më parë.

E në këtë pasqyrë ku vetja i duket i shpifur kujtdo që u ka besuar këtyre të paburrave të politikës shqiptare s’do mend që “Zajednica” shqiptare është shumë më antishqiptare sesa ajo Kosovare.

Ndërkohë që Kosovës për shkak të politikës së ditës dhe impotencës ndërkombëtare i diktohen vendime s’mund të ketë paralele me situatën post kooperativiste në Shqipëri. Zajednica shqiptare është sa e fëlliqur aq dhe e bashkëgatuar nga të panderët e politikës që me zell shqiptarët i kanë besuar në 32 vite.

Një tallje e madhe me shqiptarët ku halli i pasurisë së Abit të Saliut duket po aq dhe hall i Ramës që e lejon këtë të fundit të lëshohet si falangë e tërbuar turpi mbi çirakët e Ramës që për hir të status quos duhet të durojnë karriget kurrizit e grushtat fytyrës nga të tredhurit e Berishës.

E nëse “Zajednica” e Kosovës është aty si pasojë e një lufte gjenocidale plagët e së cilës ende s’janë përtharë kjo shqiptarja lipset të kthehet në metastazën e një kanceri pa shërim me çirakë e të tredhur që do ta asimilojnë Shqipërinë duke e larguar me mijra çdo ditë.