Mbahet sot seanca paraprake në GJKKO për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe e akuzon Memollën për korrupsion ne zgjedhje.
Disa ditë më parë Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku.
Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.
Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.