Përfundoi sot në GJKKO pas pothuaj 8 orësh seanca e ankimimt të vendimit ndaj ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezit. Çështja u shqyrtua nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.

Malltezi ishte i pranishëm në seancë dhe dha sqarime për gjyqtaren për rreth 1 orë, në lidhje me privatizimin e ish-klubit Partizani dhe procesin e ndërtimit. Ndërsa ish-kryeministri ishte i përfaqësuar nga avokati i tij Genc Gjokutaj.

Avokatët paraqitën argumentat e tyre kundër vendimit të SPAK  për masën “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit” ndaj Berishës. Gjyqtarja Olldashi shtyu seancën pas 8 orësh, për ditën e nesërme për të marrë vendimin në orën 11:00.

R E P U B L I K A  E  S H Q I P Ë R I S Ë

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Tiranë, më datë20.11.2023

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 20.11.2023, ora 09:00, lidhur me çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, pasi dëgjoi palët, i dha fund shqyrtimit gjyqësor po në datë 20.11.2023, ora 16:00, dhe urdhëroi shtyrjen e shpalljes së vendimit në datë 21.11.2023, ora 11:00.