Gjykata Penale e Tiranës i cakton masën e sigurimit arrest me burg për Maliq Markun, i cili pak ditë më parë vrau me armë zjarri fqinjin e tij, Shefqet Hasa, 69-vjeç dhe plagosi fqinjin tjetër, Ismet Keqa, 23-vjeç.
Gjatë seancës, Marku, me origjinë nga fshati Reç i Dibrës, ka folur përçart , duke deklaruar se “ka nje komplot serbo malazez ndaj meje”.
Ngjarja e rëndë ka ardhur pas një konflikti për shkak të një kanali të ujërave të zeza që ndodhet në rrugën “Fatos Shupi” ku dhe banojnë tre fqinjët. Autori i krimit ka pasur për vite të tëra konflikte me pjesën më të madhe të fqinjëve.
Më herët kanali ka qenë në tokën e 70-vjeçarit dhe ky i fundit e ka bllokuar atë. Për këtë arsye, banorët e tjerë kanë hapur një kanal të ri në rrugë me financimet e tyre private, ndërsa Marku nuk ka paguar.
Së fundmi, ai ishte kthyer nga Anglia dhe ka kërkuar që tubacionet e banesës së tij të lidheshin me kanalin e fqinjëve, të cilët e kanë kundërshtuar.