Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar sot 15 urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës.

Ndërkohë sipas burimeve, 4 të arrestuarit janë Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli.

Mërtiri dhe Zoto dyshohet se përmes faturave të falsifikuara të TVSH kanë marrë rreth 409 milionë lekë.

Sjellim në vëmendje se më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.

Sipas SPAK ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro pa TVSH.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,” thuhej në njoftimin e SPAK.