OSBE-ODIHR u bën thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë dhe të japin një vlerësim juridik lidhur me datzabazën e PS me të dhënat e më shumë se 900 mijë qytetarëve në Tiranë.
Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtues i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së në Shqipëri për zgjedhjet tha se rrjedhja e të dhënave personale është shkelje e privatësisë dhe konfidencialitetit të votuesve.
“Rrjedhja e informacioneve personale e kësaj databaze me të dhënat e qytetarëve shqiptarë është një shqetësim i madh sepse kjo është shkelje e privatësisë dhe konfidencialitetit të votuesve dhe u takon autoriteteve shqiptare që të hetojnë dhe të japin një vlerësim juridik të kësaj çështje.
Ne e përmendëm këtë çështje dhe u përpoqëm të reflektonim në deklaratën tonë, në gjetjet dhe përfundimet tona por është një çështje që u takon autoriteteve shqiptare për ta parë dhe trajtuar më pas”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se patronazhimi është një skemë e huazuar nga SHBA-ja dhe e ka cilësuar si klasa e parë e shkollës së madhe politike, Azay Guliyev pati këtë koment.
“Sa i përket eksperiencës dhe praktikave të përdoruara në vendet e tjera mund t’u them se janë disa vende që po përpiqen të dixhitalizojnë sistemin e votuesve.
Shqipëria është një nga vendet e para që e ka bërë tashmë këtë dixhitalizim dhe shpresoj të fitojë edhe besimin e mjaftueshëm mes të gjithë aktorëve politikë”.
Ndërkohë Aleksander Pociej, shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës deklaroi se informacioni si do të votojnë qytetarët e vendos demokracinë në rrezik.
“Qytetarët duhet të jenë të sigurt. Pse është vota e fshehtë? Sepse duhet të mbetet e fshehtë dhe cdo rrjedhje informacioni që tregon si do të votoj unë e vendos në kërcënim qytetarin dhe kjo është kërcënim për demokracinë dhe një votim normal.
Në fakt nuk e dimë si ka ndodhur kjo dhe kush fshihet, nuk po bëjmë akuza, jo vetëm për shqiptarët, por për cdo vend tjetër, në këtë mënyrë demokracia mund të vendoset në rrezik, kjo vlen për të gjitha vendet”.
Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të raportit paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet me 28 maj.