Vendosej superkampioni dhe luanin dy skuadrat më të forta të momentit, por as këto dy arsye nuk mjaftuan për të shtuar numrin e tifozëve në stadium. Dje ishin të pranishëm rreth 3000 tifozë, një shifër tejet e ulët për rëndësinë që kishte ndeshja. E kjo sfidë ndoshta është edhe një barometër parashikues për numrin e tifozëve në “Final 4”.

* Eljon Sota duket si në siklet para sfidës. Ndërkohë që bënte nxehjen me shokët, mbrojtësi kërkon ndihmën e stafit. Pas pak minutash kthehet dhe i bashkohet shokëve.

* Xhuliano Skuka kthehet te Partizani, këtë herë si vizitor dhe tifoz special. Sulmuesi para ndeshjes qëndron në pankinën e Partizanit së bashku me kapitenin Alban Hoxha dhe drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama.

* As Jasir Asani, prej disa ditësh në Shqipëri, nuk mund t’i mungonte kësaj sfide. Sulmuesi i Kombëtares dhe “ish” i Partizanit, shfaqet në tribunë për të ndjekur ekipin e zemrës.

* Sherri entuziazmon tifozët rrogozhinas me një lëvizje mjaft elegante ndaj Rrapajt, që po bënte presing për t’i marrë topin. Por besimi i tepërt i kushton disa minuta më pas, kur është po vlonjati, që i “vjedh” topin dhe shënon golin vendimtar.

* Tifozët e Egnatias nuk e harrojnë futbollistin më të mirë që ka zbarkuar në ekipin e tyre të qytetit. Në kor thërrasin së bashku emrin e Rafael Duamenës, i ndarë nga jeta në mënyrë tragjike më 11 nëntor, pikërisht në një ndeshje ndaj Partizanit.

* Muratajn nuk e zë vendi as në nxehje, nga ku kërkon herë pas here t’i japë udhëzime shokëve të tij në fushë, që po vuanin jo pak presionin e rrogozhinasve.

* Në momentin e penalltisë së Egnatias, Keko mbetet i dëmtuar. Egnatia nuk e respekton “fair play”-n dhe vijon lojën. Pikërisht në atë aksion rrogozhinasit fitojnë 11-metërsh, të cilin e humbet Fernando.

* Isgandarli duket i pakënaqur me zëvendësimin dhe këtë e tregon me mimikën dhe veprimet konfuze që bën teksa i drejtohet stolit. * Te Partizani çuditen kur shohin tabelën me 8 minuta shtesë. Abilaliaj shihet teksa flet me arbitrin e katërt, Florian Lata.

* Trajneri i të kuqve feston si i çmendur edhe për faullet e fituara nga skuadra e tij në minutat e fundit.

* Stoli i Partizanit kërkon çdo mënyrë për të shtyrë lojën në fund. Paulo Buxhelaj shqelmon një top të dytë në mesfushë. Më pas përjashtohet me të kuq nga pankina nga gjyqtari Jorgji. Pak sekonda më pas një tjetër top hidhet në fushë, këtë herë nga ana e tribunës përballë.

* Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk ishte i pranishëm në këtë ndeshje. Ai ia kishte deleguar detyrat e tij zëvendësit, Lutfi Nuri.

* Gjatë momentit të marrjes së medaljeve tifozët e Partizanit thërrasin në kor emrin e Pano Qirkos. Portieri ishte vendimtar me penalltinë e pritur.

* “Të thashë që do të mund”, i tha Murataj shokut të tij, Donald Mëllugjës. Dje ishin kundërshtarë, por në të shkuarën kanë luajtur së bashku te Bylisi, ku kanë shkëlqyer.

* Xhuliano Skuka ishte një nga “yjet” e mbrëmjes në tribuna. Sa herë e gjetën mundësinë, tifozët e kuq nxituan t’i merrnin autografe dhe të bënin foto me të.

PANORAMASPORT.AL