Një guvernator rus ka thënë të mërkurën se e ka urdhëruar rindërtimin e nëntë shtëpive në një fshat rus, i cili u bombardua aksidentalisht nga një avion ushtarak rus.

Incidenti ndodhi të martën, kur agjencia ruse e lajmeve, RIA, e citoi Ministrinë e Mbrojtjes duke raportuar për “shkarkimin jonormal të municionit nga avioni ushtarak” mbi fshatin Petropovlovka në jug të rajonit Voronezh.

Guvernatori Alexander Gusev tha se nëntë shtëpi do të rindërtohen sa më shpejt, dhe se dëme kanë pësuar edhe një shkollë lokale, një qendër arti dhe një ndërtesë administrative.

Nuk u raportua për të vrarë, por katër njerëz kërkuan ndihmë për lëndime të vogla, tha ai.

Pesë vetura dhe një traktor janë dëmtuar, po ashtu, dhe se pronarët e tyre do të marrin dëmshpërblim, sipas tij.

“Asnjë banor nuk do të ngelë pa ndihma. Ne do t’i mbështesim të gjithë sa më shpejt”, tha Gusev.

Autoritetet ruse nuk treguan se çfarë e shkaktoi këtë incident. Derisa dëmi ishte i kufizuar, incidenti e turpëroi ushtrinë ruse dhe ndodhi në një kohë kur rajonet jugore të Rusisë në kufi me Ukrainën janë të alarmuara nga bombardimet.

Gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët./REL