Presidenti amerikan, Joe Biden ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ky ripropozim vjen pasi më 4 Janar, Senati nuk e miratoi emërimin e Kostelancik si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, për shkak të tejkalimit të afateve.

“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër-Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Kostelancik u emërua për postin e Ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.Kostelancik ka një karrierë 30-vjeçare. Në Shqipëri ka shërbyer edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën amerikane të sapohapur në Tiranë. Para emërimit si ambasador, ai shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley./abcnews.al