Detaje të reja po dalin në “dritë” për vrasjen e ndodhur të martën e kaluar në Volos, kur 50-vjeçari shqiptar Fatmir Tarellari vrau kunatin e tij 33-vjeçar i cili prej vitesh i kishte përdhunuar vajzën tashmë 18-vjeçare.

I akuzuari pritet të dalë para hetuesisë të hënën, ndërsa siç ka rrëfyer para avokatit të tij ai deklaron se është penduar.

18-vjeçarja që akuzoi viktimën 33-vjeçar si zhvatës dhe përdhunues fëmijësh ka në krah dy motrat e saj. Sipas mediave vendase, ato janë marrë në pyetje dhe kanë konfirmuar fjalët e motrës së tyre.

18-vjeçarja aktualisht po merr mbështetje nga një psikolog për të menaxhuar ngjarjet që kanë shënuar fëmijërinë e saj. Gruaja e viktimës nuk ka dhënë ende një deklaratë por ka deklaruar një padi civile.

Në një prononcim për televizionin ASTRA, avokati i 50-vjeçarit ka thënë se “ka një element tronditës” në çështjen që pritet të zbardhet në ditët në vijim.

“Ka një element tronditës, që është element zyrtar. Nuk dua të zbuloj asgjë më shumë. Megjithatë, ka një element që në një moment të padyshimtë, para se njeriu që unë mbroj të kryente aktin e kundërligjshëm pasi kishte mësuar se çfarë po kalonte vajza e tij, vajza ia kishte treguar më herët mësueses sëë saj në universitetin që ndjek”, theksoi ai.

Përveç mesazheve kërcënuese në celularin e vajzës ka edhe video dhe foto nga skenat e përdhunimit dhe për këtë pajisja është dërguar në laboratorët e mjekësisë ligjore për të nxjerrë të gjitha dosjet. Nga ana e tij 50-vjeçari ka deklaruar se nuk është vetëm vajza e tij 18-vjeçare ajo që ka rënë viktimë e 33-vjeçarit.

Një person i afërt me vajzën raporton se 33-vjeçari e vizitonte në shkollë dhe e priste jashtë.

“Ai vinte jashtë shkollës, priste gjithmonë që vajza të mbaronte mësimin. Më herët ai ka ngacmuar dhe vajza të tjera madje kam ndërhyrë dhe i kamthënë të ndalonte atë që po bën se ajo është shumë më e vogël se ai. Dhe në përgjithësi ka gjetur vajza nën 18 vjeç”.