Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli në një konferencë për mediat ditën e sotme bëri me dije se të dhënat e Censit të popullësisë të mbajtur disa muaj më parë në vend do të bëhen publike në qershor të këtij viti.
Ajo u shpreh se këto të dhëna janë pjesë integrale e punës së INSTAT dhe reflektojnë informacionin më të fundit statistikor për vendin.
Nga ana tjetër ajo shtoi se rezultatet e Censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve në vend.
“Për 3 censet e kryera nga INSTAT, Qershori ka qenë afati më i afërt i publikimit pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave dhe gjithashtu pas mbledhjes së të dhënave të anketës pascens, e cila këtë raund përfundoi në Dhjetor 2023. Të dhënat e Censit do të jenë gati për publikim në muajin Qershor 2024. Këto të dhëna janë pjesë integrale e planit të punës të INSTAT dhe do të reflektojnë informacionin më të fundit statistikor për vendin.
Të dhënat që do të publikohen do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, duke ofruar statistika të nevojshme për të gjithë grupet e përdoruesve. Rezultatet e Censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve në vend. Gjithashtu, do kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, u shpreh drejtoresha e INSTAT