Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Lezhës, Ulsi Manja akuzon publikisht kryebashkiakun e djathtë të Mirditës se po pushon nga puna në Bashki të gjithë ata punonjës, të cilët pas orarit zyrtar të punës shkojnë në mbledhjet e organizatave socialiste.
“Nejse, kjo është histori e ngatërruar dhe ndoshta me kalimin e kohës do e kuptosh se në çfarë bataku ke rënë, por ke përgëzimet e mia për talentin tënd politik të largimeve nga puna me “formula strukturore”, që të kujtojnë nenin e famshëm 24/1 të Berishës së parë që ti e adhuron sot poshtë ballkonit të shtëpisë së tij, tamam si një fëmijë i pafajshëm”, thotë Manja.
Me tej, ministri i Drejtësisë shkruan se Albert Mëlyshi u ka çuar fjalë njerëzve se ata që shkojnë në takimet që ai organizon si drejtues politik i PS, të punojnë me të.
“Ti me sa duket e ke talent të lindur të fshihesh pas gishtit dhe të mos u dalësh gjërave ballazi, përderisa ke nxjerrë tellallët politikë nëpër kafenetë e Rrëshenit, të cilët çojnë fjalë në emrin tënd “që kush shkon në takime me Ulsi Manjën, t’i punësojë Ulsiu”!
Komike besa boll, por ti që u votove nga populli i Mirditës si shpresë, përfundove si qyqar te “rruga e shpresës”, ku t’u ringjall virusi i hakmarrjes primitive të foltores që keni në ADN tuaj politike dhe nga e cila nuk keni për t’u çliruar kurrë”, vijon Ulsi Manja.
Ai i kujton kryebashkiakut të djathtë të Mirditës që e fitoi bashkinë në zgjedhjet e 14 Majit, se me largimet nga puna “me formulë” do e zhysë institucionin që drejton në borxhe.
“Të garantoj se nuk do bësh dot asgjë Melysh, vetëm sa do zhytësh Bashkinë e Mirditës në borxhe dhe do të ta mbyllë përmbarimi nga gjyqet e fituara të atyre që do largosh nga puna, sepse Shqipëria e 2024 ka ligje dhe monitorohet nga BE, e jo nga foltoristët që po të marrin në qafë pa bërë ende 10 muaj punë”, shton ai.
Reagimi i plotë i socialistit Ulsi Manja:
Kryetari i Bashkisë, Albert Melyshi, i cili u zgjodh si modeli i “djalit të mirë” dhe për t’i shërbyer njëlloj të gjithë qytetarëve të Mirditës, i infektuar keq nga modeli i vjetër i foltores, prej disa ditësh ka lënë të gjitha punët e Bashkisë dhe si hetuesit e diktaturës qëmoti rri duke parë të gjitha videot dhe fotot që postojnë anëtarët dhe simpatizantët tanë në rrjetet e tyre sociale, nga mbledhjet e Organizatave Socialiste në Mirditë, për të parë punonjësit e Bashkisë (mirditorët e tij), që pas orarit të punës vijnë në këto mbledhje se janë socialistë.
Ooo kryetar, liria politike është element themelor i demokracisë! Mos u lodh duke monitoruar rrjetet sociale, se ne jemi parti e hapur dhe në kuadër të transparencës kemi marrë fotografin e bashkisë të bëjë fotot e mbledhjeve tona. I ka ai të gjitha fotot, thirre, të t’i bëjë album 😂, se PS është parti e madhe dhe e hapur, jo si partia jote e ndarë në 4 pjesë!
Nejse, kjo është histori e ngatërruar dhe ndoshta me kalimin e kohës do e kuptosh se në çfarë bataku ke rënë, por ke përgëzimet e mia për talentin tënd politik të largimeve nga puna me “formula strukturore”, që të kujtojnë nenin e famshëm 24/1 të Berishës së parë që ti e adhuron sot poshtë ballkonit të shtëpisë së tij, tamam si një fëmijë i pafajshëm!
Të garantoj se nuk do bësh dot asgjë Melysh, vetëm sa do zhytësh Bashkinë e Mirditës në borxhe dhe do të ta mbyllë përmbarimi nga gjyqet e fituara të atyre që do largosh nga puna, sepse Shqipëria e 2024 ka ligje dhe monitorohet nga BE, e jo nga foltoristët që po të marrin në qafë pa bërë ende 10 muaj punë!
Ti me sa duket e ke talent të lindur të fshihesh pas gishtit dhe të mos u dalësh gjërave ballazi, përderisa ke nxjerrë tellallët politikë nëpër kafenetë e Rrëshenit, të cilët çojnë fjalë në emrin tënd “që kush shkon në takime me Ulsi Manjën, t’i punësojë Ulsiu”!
Komike besa boll, por ti që u votove nga populli i Mirditës si shpresë, përfundove si qyqar te “rruga e shpresës”, ku t’u ringjall virusi i hakmarrjes primitive të foltores që keni në ADN tuaj politike dhe nga e cila nuk keni për t’u çliruar kurrë!
Ti me sjelljen tënde politike prej hakmarrësi të vogël lokal, padashje i bën shërbimin më të madh politik PS, sepse u jep qytetarëve të Mirditës mundësinë të kuptojnë dallimin e madh mes nesh si PS dhe foltores që ti përfaqëson në Mirditë. E në fakt, dallimi mes nesh është si të krahasosh ditën me natën e zezë sterrë dhe për këtë flasin faktet:
Për aq kohë sa Bashkia dhe institucionet në varësi qendrore u drejtuan prej nesh, kurrë nuk kemi parë teserat e partisë, përkundrazi çdokujt i kemi dhënë mundësi të kontribuojë për Mirditën dhe familjen e tij në përputhje me arsimin dhe formimin që ka dhe për këtë qëndrim qytetar tonin shpeshherë jemi ndëshkuar dhe nga socialistët tanë, por që fundja kjo i ka shërbyer paqtimit social dhe jo urrejtjes politike;
Këshilltarët tanë në Bashki, ku jemi shumicë, votuan pro buxhetit të Bashkisë sepse ne si PS nuk bllokojmë qytetarët të marrin shërbimet e duhura dhe as pengojmë zhvillimin e Mirditës;
Qeveria socialiste e Edi Ramës i dha bashkisë Mirditë 350 milion lekë ose 22% grant buxhetor më shumë se në vitin 2023 kur e drejtonte Ndreca dhe do vazhdojmë ta bëjmë, ne e kemi kontratën me qytetarët Mirditës e jo me kryetarët e radhës;
Po i japim Mirditës një spital modern dhe shumë e shumë investime të tjera, që i gjete në proces ose të financuara nga paraardhësi yt socialist, që ta dorëzoi mandatin si mirditori mirditorit, po kujt ja dorëzoi… një inatçori pa këllqe për t’i dalë zot vendimeve dhe fjalëve të veta, një njeriu me dy fytyra, që në Tiranë kërkon bashkëpunim me qeverinë qendrore të Edi Ramës në emër të Mirditës, ndërsa në Mirditë hakmerret ndaj qytetarëve me bindje të majta dhe pse shumë prej tyre e kanë votuar për “djalë të mirë”, etj. Por që sot e tutje gjithçka do të jetë reciproke. Nuk do të mbështesim asgjë, as në Këshillin Bashkiak e as në Tiranë, nëse bie ndesh me interesat e popullit të Mirditës, çdo gjë dhe çdo vendim i yni do të ketë në themel qytetarët që na kanë besuar votat e tyre për të qenë shumicë në Këshillin Bashkiak!
Madje, nuk do të jetë e largët dita kur populli i Mirditës të të kërkojë llogari dhe të të ndëshkojë dhe për naftën që shpenzon për të ardhur poshtë ballkonit të doktorit!
Diletantizmi yt si menaxher dhe verbëria politike ndaj foltores dhe një ish-lideri që ka mbjellë përçarje dhe në Mirditën që të dha nderin të jesh qytetari i parë i saj, ta nxorrën kallajin e “djalit të mirë” shpejt dhe fundin politik do të ta japin kur të shkosh prapë te vota!
U zgjata pak, se kam 9 muaj që hesht, se besoj që kundërshtari që të mund me votë ka nevojë për kohën e duhur të shpalosë vlerat, por tani koha ka mbaruar dhe socialistët e Mirditës do t’i kesh përballë dhe nuk do kesh mundësi ta përdorësh pushtetin për gjueti shtrigash. Provën e parë do e kesh në Këshillin Bashkiak të Mirditës!