Kryeministri Edi Rama është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë TikTok, Theo Bertram, me të cilin ka ndarë shqetësimin që ky rrjet social po shkakton në shoqëri.

Kryeministri tregon se me Bertram diskutoi për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

“U njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”, shkruan kreu i qeverisë në “Facebook“, ku ndau edhe foto nga takimi.

Aplikacioni “TikTok” është shndërruar në një rrjet social shqetësues së fundi, i cili në vendin tonë ka ndikuar në rritjen e krimeve kibernetike. Rasti më i fundit ishte ai i 27-vjeçares, që dyshohet se vrau veten pas publikimit të një fotoje intime në “TikTok”. E reja i dha fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të tretë në Kamëz, ndërkohë që u arrestua tiktok-eri Altin Çoku, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.

Top Channel