Zbardhen detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbrëmë Korçën, ku Ilo Lluka vrau Emiliano Pine allias Jorgo Priftin dhe më pas u vetëvra. Konflikti mes palëve ka nisur për çështje prone.
Mësohet se nëna e Emiljano Pines bashkëjetonte me babain e Ilo Llukës ky i fundit jetonte jashtë vendit.
Sipas informacioneve babai i Llukës kishte vendosur t’i linte në trashëgimi shtëpinë djalit të bashkëjetesës, Emiliano Pines. Kjo duket qe nuk është pranuar nga i biri, i cili ka vendosur të vijë në Korçë dhe të vendosë vetë “fatin” e tij.
60-vjeçari ka shkuar në kafen ku ishte 40-vjeçari në lokalin e lagjes dhe pasi i ka kërkuar që të dalë jashtë e ka qëlluar 4 herë duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas ka ndërruar jetë në spital. Fill pas ngjarjes, autori ka qëlluar edhe veten duke mbetur viktima e dytë e kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, në lagjen nr. 18, Korçë, ju informojmë se grupi hetimor pas veprimeve të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave të saj, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, që qëlloi me armë zjarri 40-vjeçarin E. P., i cili humbi jetën dhe më pas vrau edhe veten me armën e krimit.
Konkretisht autori është shtetasi I. Ll., 61 vjeç, banues në Korçë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje.”, thuhet në njoftimin e policisë.
(BalkanWeb)