Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ripërsëriti qëndrimin se askush nuk mund ta detyrojë vendin e tij që ta vendosë Hamasin në listën e organizatave terroriste.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Ankara, lideri turk u shpreh se Turqia është një vend që ka kontakte të ngushta me drejtuesit e Hamasit dhe i mbështet ata me vendosmëri.
“Askush nuk mund të na bëjë të kualifikojmë Hamasin si një organizatë terroriste. “Turqia është një vend që flet hapur me udhëheqësit e Hamasit dhe i mbështet ata me vendosmëri’, u shpreh Erdogan.
Ai madje krahasoi Netanyahu dhe administratën e tij, me Hitlerin, Musolinin dhe Stalinin.
Erdogan ka qenë një nga kritikët më të ashpër të Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza, e cila filloi pas një sulmi nga Hamasi në disa qytete kufitare izraelite ku humbën jetën të paktën 1160 persona.
Erdogan e ka quajtur shpesh herë Izraelin një shtet terrorist dhe e ka akuzuar atë për “gjenocid” në Gaza.
/abcnews.al